Projekti Hidroenergjetik i Devollit

Projekti Hidroenergjetik i Devollit është investimi më i madh privat në hidroenergji në Shqipëri në 30 vitet e fundit

Zona e Projektit

Projekti Hidroenergjetik i Devollit ndodhet në Luginën e Lumit Devoll, në pjesën jug-lindore të Shqipërisë.

Sipas Kontratës së Koncesionit, zona e projektit apo koncesionit përcaktohet si zona e Lumit Devoll midis 95 dhe 810 metra mbi nivelin e detit, e cila ndodhet midis fshatit Banjë të Bashkisë Cërrik në Qarkun e Elbasanit dhe Bashkisë Maliq në Qarkun e Korçës.

Zona e ujëmbledhësit të Devollit mbulon pllajën e Korçës, shtrirjen malore të mesme të lumenjve Devoll dhe Tomorricë deri në Gramsh dhe fshatrat kodrinorë të valëzuar nga Gramshi deri në Kozarë. Në Kozarë në rrethin e Kuçovës, Lumi Devoll bashkohet me Lumin Osum dhe formohet Lumi Seman, i cili derdhet në detin Adriatik.

Zona direkte e projektit shtrihet në rrethet e Elbasanit, Gramshit dhe Korçës dhe zbatohet në bashkitë aktuale të Cërrikut, Elbasanit, Gramshit, Maliqit dhe Korçës.

Skema e Projektit

Projekti Hidroenergjetik i Devollit konsiston në projektimin, planifikimin, ndërtimin dhe operimin e dy hidrocentraleve, HEC Banja dhe HEC Moglicë, me një kapacitet të instaluar prej rreth 256 MW dhe prodhim të rreth 700 GWh/vit. Vendimi për investimin e një hidrocentrali të tretë HEC Kokël, do të shqyrtohet pas përfundimit të dy hidrocentraleve të parë.

Skema e projektit është zhvilluar bazuar në një koncept të paraqitur pranë Qeverisë së Shqipërisë nga kompania austriake EVN AG, kompani e cila ka qenë partner zhvillues i Statkraft deri më 2013, moment i në të cilin Statkraft ka blerë aksionet e EVN dhe është pronar i vetëm i Devoll Hydropower Sh.A. Projekti filloi aktivitetet e para në terren në kuadër të Fazës Para-Ndërtimore në vitin 2009, pas miratimit nga Parlamenti Shqiptar i Kontratës së koncesionit.  Në vitin 2013 filloi ndërtimi i HEC Banja, e cila përfundoi dhe hyri në operim në vitin 2016. Ndërtimi i HEC Moglicë HPP filloi në vitin 2015 dhe vazhdon ende, me palnin për t'u përfunduar dhe hyrë në operim në vitin 2019.

Kosto e investimit të Projektit Hidroenergjetik të Devollit është vlerësuar rreth 590 milion Euro.