Ministria e Mjedisit, Bashkia Gramsh dhe Statkraft mbjellim pemë në Gramsh

21.03.2018 | lajme

Në kuadër të Programit të Pyllëzimeve për Projektin Hidroenergjetik të Devollit, Ministri i Mjedisit, Kryetarja e Bashkisë Gramsh dhe Drejtori i Statkraft për Shqipërinë mbollën pemë në ambientet e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura Gramsh

Zbatimi i Projektit Hidroenergjetik të Devollit ka ndikuar pyje ekzistuese në zonën e projektit. Për zbutjen e këtij ndikimi, si pjesë e detyrimeve të Kontratës së Koncesionit Statkraft po zbaton një program intensiv Pyllëzimi. Ky program përfshin pyllëzimin e mëse 800 Ha pyjesh të reja në zonën e projektit.

Nëpërmjet programit të Pyllëzimeve në zonën e HEC Banjë janë pyllëzuar më shumë se 270 Ha. Gjithashtu më shumë se 540 Ha janë duke u pyllëzuar në zonën e HEC Moglicë.

Në kuadër të këtij aktiviteti, pranë ambienteve të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura Gramsh u mbollën pemë nga Ministria e Mjedisit, Bashkia Gramsh dhe Statkraft për të shënuar afrimin e përmbylljes së zbatimit të këtij programi në zonën e HEC Banjë.

Edhe Impianti i Trajtimit të Ujërave të Përdorura Gramsh është ndërtuar në kuadër të Projektit Hidroenergjetik të Devollit. Ndërtimi i kësaj infrastrukture mjedisore është mbështetur nga Statkraft me një investim prej rreth 1 milion Euro nga programi i saj i Menaxhimit Mjedisor dhe Social në mbështetje të Bashkisë Gramsh. Kjo infrastrukturë u ndërtua me qëllim për të përmirësuar cilësinë e ujit në rezervuarin e Banjës, duke marrë në konsideratë faktin që përpara ndërtimit të kësaj infrastrukture ujërat e përdorura të qytetit të Gramshit shkarkohenshin direkt në Lumin e Devollit.