Fillon mbushja e rezervuarit të HEC Moglicë

21.06.2019 | lajme

Më 21.06.2019 filloi mbushja e rezervuarit të HEC Moglicë. Projekti Hidroenergjetik i Moglicës është pjesë integrale e Projektit Hidroenergjetik të Devollit, që zbatohet nga Devoll Hydropower Sh.A. në luginën e Lumit Devoll.

Pas disa viteve në zhvillim dhe zbatim, në qershor 2019 përfundoi ndërtimi i strukturave kryesore të digës së Moglicës. Diga e Moglicës do të krijojë rezervuarin e Moglicës, i cili do të ketë një sipërfaqe prej rreth 7 Km2 dhe vëllim prej më shumë se 360 milion m3. Diga e Moglicës është një digë me bërthamë asfalti dhe mbushje me material vendi me lartësi prej 167 metra.

Projekti i Moglicës zbatohet me standarde dhe praktika të larta të sigurisë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare. Statkraft ka investuar burime të qenësishme financiare dhe njerëzore në ndërtimin e strukturave të projektit të qëndrueshme dhe të sigurta.

HEC Moglicë përbëhet edhe nga një tunel prurje prej rreth 11 Km dhe Central i nëndheshëm me një kapacitet të instaluar prej 184 MW. Kur të hyjë në operim, ky HEC do të prodhojë mesatarisht 450 GWh/vit.