Statkraft, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Maliq dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri mbjellin pemë në Maliq

02.03.2019 | lajme

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Programit të Pyllëzimeve të Projektit Hidroenergjetik të Devollit, dhe të ditëve kombëtare të pemëve

Më 02.03.2019 Statkraft, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Maliq dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri mbjellin dru-frutorë pranë qytetit të Maliqit.

Zbatimi i Projektit Hidroenergjetik të Devollit ka ndikuar pyje ekzistuese në zonën e projektit. Për zbutjen e këtij ndikimi, si pjesë e detyrimeve të Kontratës së Koncesionit Statkraft po zbaton një program intensiv Pyllëzimi. Ky program përfshin pyllëzimin e mëse 850 Ha pyjesh të reja në zonën e projektit.

Më shumë se 20% e këtyre pyjeve planifikohet të mbillen me dru-frutorë dhe bime mjekësore aromatike në mbështetje të komuniteteve lokale, nëpërmjet iniciativës së “pyjeve sociale”.

Krijimi i pyllit social pranë qytetit të Maliqit synon të jetë një mbështetje shtesë për familjet e zhvendosura në Maliq për shkak të ndërtimit të HEC Moglicë.

Për këtë qëllim u mbajt një prezantim dhe takim me familjet e zhvendosura pas mbjelljeve në pyllin social aty pranë. Gjatë takimit, Ministria, Bashkia dhe përfaqësuesit të trupit diplomatik në Shqipëri vlerësuan dhe shfaqën si model për t’u ndjekur këto rezultate konkrete të bashkëpunimit të ngushtë të Statkraft dhe autoriteteve shqiptare.