Vazhdojnë testimet në Hidrocentralin e Moglicës

13.04.2020 | lajme

Testimi i Portave të Shkarkuesit të Sipërm të Digës së Moglicës

Testimi i Portave të Shkarkuesit të Sipërm të Digës së Moglicës

Fillimi i vitit 2020 ka përkuar me fillimin e fazës së testimeve në Hidrocentralin e Moglicës, HEC-i më i madh i Projektit Hidroenergjetik të Devollit, investim i kompanisë norvegjeze Statkraft.

Pas disa vitesh në fazë zhvillimi dhe ndërtimi, gjatë vitit 2019 u mbyllen punimet kryesore dhe filloi mbushja e rezervuarit të Moglicës.

Gjatë këtyre muajve janë realizuar një mori testesh për të kolauduar dhe përgatitur për të vënë në funksion veprën më të madhe hidroenergjetike private në Shqipëri. Testet realizohen nga kompani të specializuara në koordinim edhe me strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në kuadër të fazës së testimeve, më datë 12.04.2020 është realizuar edhe testimi i portave të shkarkuesit të sipërm të digës, i cili ka rezultuar me sukses. Operimet e plota tregtare të HEC Moglicë planifikohen të jenë në tremujorin e dytë të 2020-ës, me gjithë vështirësitë shtesë të hasura si pasojë e pandemisë nga Covid-19.

HEC Moglicë përbëhet nga një digë me bërthamë asfalti dhe mbushje me material vendi me një lartësi prej 167 metra. Një tunel prurje prej rreth 10.7 Km lidh rezervuarin me Centralin, i cili ka kapacitet të instaluar prej 184 MW. Diga ka krijuar rezervuarin e Moglicës, i cili ka një vëllim të planifikuar prej rreth 360 milion m3, me sipërfaqe prej rreth 7.2 Km2.

Projekti zbatohet me standarde dhe praktika të larta të sigurisë dhe realizohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritet shqiptare. Statkraft ka investuar burime të konsiderueshme financiare dhe njerëzore për ndërtimin e strukturave të projektit të qëndrueshme.

Kur të jetë në fazën e shfrytëzimit, HEC Moglicë do të prodhojë rreth 450 GWh/vit, e cila nëse kombinohet me HEC Banjë prodhojnë bashkërisht rreth 700 MWh/vit, duke rritur prodhimin e energjisë në vend me rreth 13%.