Global icon
Global
Albania flag icon
Albania
Brazil flag icon
Brazil
Chile flag icon
Chile
Finland flag icon
Finland
France flag icon
France
Germany flag icon
Germany
Ireland flag icon
Ireland
Italy flag icon
Italy
Netherlands flag icon
Netherlands
Norway flag icon
Norway
Peru flag icon
Peru
Poland flag icon
Poland
Spain flag icon
Spain
Sweden flag icon
Sweden
Türkiye flag icon
Türkiye
United Kingdom flag icon
United Kingdom
United States flag icon
United States

Devoll Hydropower Sh.A. informon rreth menaxhimit të prurjeve të larta të ujit në rezervuarët e Banjës dhe Moglicës, në luginën e lumit Devoll gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026

28 shk, 2026

Devoll Hydropower Sh.A. (DHP) operon hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, në Kaskadën e Lumit Devoll.

28 shkurt 2026 — Tiranë, Shqipëri: Që nga muaji nëntor 2025, baseni i lumit Seman është përballur me kushte hidrometeorologjike të paqëndrueshme, të karakterizuara nga reshje të dendura dhe prurje të larta në lumenj, ndjeshëm mbi mesataret historike. Pellgu ujëmbledhës i kaskadës së Devollit, ku përfshihen hidrocentralet e Moglicës dhe Banjës, përbën rreth 50% të sipërfaqes së përgjithshme të pellgut ujëmbledhës të lumit Seman. Prurjet e lumit Seman ndikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga rrjedha e parregulluar e lumit Osum apo degëve të tjera.

Gjatë kësaj periudhe, rezervuarët e Moglicës dhe Banjës kanë përballuar vëllime shumë të mëdha ujore dhe janë kryer shkarkime të kontrolluara në përputhje me rregulloret e digave. Këto operime kanë kontribuar në zbutjen e prurjeve maksimale dhe në reduktimin e rrezikut të përmbytjeve, dhe jo në shtimin e tij. Shkarkimet nga hidrocentrali i Banjës përbëjnë vetëm një pjesë të prurjes totale të lumit Seman dhe kanë qenë ndjeshëm më të ulëta se prurjet hyrëse në kaskadën e Devollit.

Konteksti hidro‑meteorologjik

Periudha nëntor 2025 – shkurt 2026 është karakterizuar nga episode të përsëritura reshjesh intensive dhe prurjesh të larta. Pas një muaji nëntor me reshje mbi mesataret historike, reshjet e dendura kanë prekur zonën për rreth katër muaj rresht, duke çuar totalet e reshjeve për këtë periudhë ndjeshëm mbi vlerat mesatare historike.

Kjo situatë është rënduar më tej nga ngopja e tokës me lagështi dhe nga fenomeni i njohur si “shi mbi borë”, ku fronte atmosferike me temperatura mbi normalen e stinës kanë shkaktuar shkrirjen e shpejtë të shtresave të dëborës në zonat malore me terren të thyer. Si pasojë, sasi të konsiderueshme uji janë drejtuar drejt pellgjeve lumore tashmë të mbingarkuara.

Efektet e kombinuara të reshjeve intensive të përsëritura, ngopjes së tokës, dhe prurjeve shtesë nga shkrirja e dëborës kanë rezultuar në një cikël të vazhdueshëm vërshimesh lumore dhe rrëshqitjesh dherash, duke shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, përfshirë edhe basenin e lumit Seman.

Këto kushte kanë ardhur pas një periudhe të gjatë thatësire nga janari deri në tetor 2025. Kalimi i menjëhershëm nga kushte shumë të thata në reshje intensive dhe të përsëritura ka përkeqësuar ndjeshëm reagimin hidrologjik të pellgjeve ujëmbledhëse. Analizat paraprake të ecurisë hidro‑meteorologjike për periudhën nëntor 2025 – shkurt 2026 tregojnë se kjo periudhë karakterizohet nga episode anormale krahasuar me mesataret historike.

Efektet kumulative të këtyre kushteve, të shtrira për gati katër muaj, kanë bërë që veçanërisht gjatë muajit shkurt 2026 toka të jetë e tejngopur, me aftësi shumë të ulët përthithëse. Për pasojë, edhe reshjet me intensitet mesatar kanë gjeneruar prurje shumë të larta në lumenj.

Prurjet dhe operimi i hidrocentraleve

Ashtu si gjatë periudhës nëntor 2025 – janar 2026, kur në kaskadën e Devollit janë regjistruar prurje në nivele jashtëzakonisht të larta, me maksimum orar rreth 1,500 m³/s në nëntor dhe mbi 900 m³/s në janar, edhe gjatë muajit shkurt 2026 kushtet hidro‑meteorologjike në basenin e lumit Seman kanë mbetur shumë të paqëndrueshme.

Gjatë shkurtit 2026, prurjet maksimale orare në rezervuarët e kaskadës së Devollit kanë arritur mbi 450 m³/s, ndërsa shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentrali i Banjës kanë qenë ndjeshëm më të ulëta se prurjet hyrëse. Ky nivel shkarkimesh përfaqëson operim normal në kushte prurjesh të larta. Nivele të ngjashme ose edhe më të larta shkarkimesh janë aplikuar rregullisht në vite të mëparshme që nga fillimi i operimit të hidrocentralit të Banjës në vitin 2016, në përputhje me rregulloret e digave. Të gjitha strukturat e hidrocentraleve të Banjës dhe Moglicës vijojnë të operojnë brenda parametrave të plotë të sigurisë.

Sqarime ndaj publikimeve në media

DHP ka vërejtur publikime në media që ia atribuojnë situatën e përmbytjeve në basenin e lumit Seman shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës. Këto pretendime nuk pasqyrojnë realitetin hidro-meteorologjik të situatës.

Menaxhimi i prurjeve të larta në hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës ka kontribuar në uljen e rrezikut të përmbytjeve, duke zbutur ndjeshëm kulmet e prurjeve gjatë gjithë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026. DHP thekson edhe një herë se aludimet se përmbytjet janë shkaktuar nga operimi i hidrocentralit të Banjës janë të pasakta.

Kur ndodhin ngjarje hidro-meteorologjike si këto të muajve të fundit, nuk është e mundur të shmangen tërësisht pasojat negative. Megjithatë, analizat teknike të ekspertëve të fushës evidentojnë se hidrocentralet, si pjesë e sistemit të menaxhimit të burimeve ujore, luajnë një rol pozitiv në reduktimin e rrezikut të përmbytjeve në rrjedhën e poshtme, duke zbutur kurbën e prurjeve maksimale gjatë episodeve ekstreme. Edhe pse në situata përmbytjesh është e kuptueshme që vëmendja të përqendrohet te infrastruktura e dukshme, si digat dhe hidrocentralet, përmbytjet nuk janë rezultat i një veprimi të vetëm apo i një strukture të vetme, por i ndërveprimit të kushteve ekstreme të motit, territorit dhe transformimit të tij, si dhe funksionimit të zonave natyrore për zbutjen e prurjeve.

Ngjarje të tilla nxjerrin në pah nevojën për analiza të thelluara mbi ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe për ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për përshtatje ndaj tyre nga të gjithë aktorët përkatës.

Komunikimi dhe transparenca

DHP shkëmben rregullisht informacion me autoritetet që në fazat e hershme të procesit të shkarkimeve dhe informon publikun në mënyrë transparente përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanalit në media sociale. Shkarkimet e kontrolluara janë praktika standarde dhe realizohen gjithmonë në varësi të zhvillimeve hidro‑meteorologjike, ndërsa monitorimi i rezervuarëve kryhet në kohë reale.

 

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Devoll Hydropower Sh.A.
Email: info.albania@statkraft.com
Website: www.statkraft.al